Festivali i Teatrove
Festivali i Teatrove është festivali më i vjetër në Kosovës, i cili organizohet kryesisht në muajin Tetor dhe është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore të vitit në Ferizaj. Është themeluar në vitin 1970. Fillimisht kishte funksionuar si festival amator, mirëpo pas vitit 2000 u bë festival profesionist, e sidomos pas vitit 2008 me pjesëmarrjen e trupave teatrove më të mira shqiptare nga Prishtina, Tirana, Korça, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Peja, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Shkupi, Dibra, Tetova, etj.
Festivali “Kosovarja Këndon”
Është ndër festivalet më të vjetra në Kosovë, i cili organizohet në muajin Nëntor. Karakterizohet nga dy specifika kryesore, si emancipimi i gruas shqiptare në muzikën popullore, si dhe ruajtja e muzikës së mirëfilltë shqipe. Ky festival është themeluar në vitin 1972 dhe organizohet nga AKV “Kastriotët” dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Festivali i filmit “FERFILM”
Ky festival është themeluar në vitin 2013 nga një grup artistësh ferizajas nga fusha e kinematografisë. Është festivali i parë ndërkombëtar që mbahet në Ferizaj, dhe prej kur ka filluar të organizohet e deri më tani janë shfaqur rreth 700 filma ndërkombëtarë, si dhe ka pritur mbi njëqind artistë nga mbarë bota. Zakonisht mbahet në muajin Shtator.
Festivali i muraleve “Mural Fest Kosova”
“Mural Fest Kosova” është themeluar në vitin 2016, dhe deri tani janë realizuar dhjetëra murale e punë artistike. Viteve të fundit ky festival ka arritur të ketë pjesëmarrje të artisteve edhe nga vendet jashtë Kosovës ku kanë prezantuar me krijimet e tyre artistë me renome ndërkombëtare nga Evropa e Amerika. Qëllimi i MuralFest është promovimi i artit dhe kulturës në vend, duke përdorur artin si formë e shprehjes së avokimit të çështjeve problematike në komunitet.
Festivale për fëmijë
Festivali “Fëmijët e Gëzuar”: Ky festival është themeluar në vitin 1988 nga një grup të artit e muzikës, si Veli Sahiti, Osman Berisha, Nazmi Aliu, etj. Ky është festivali i parë në Kosovë, i cili i kushtohet interpretimit të këngës nga fëmijët e vegjël. Si i tillë, vazhdon të organizohet dhe të përkrahet nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Zakonisht organizohet në Qershor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Festivali i Recitatorëve: Është themeluar viteve të 80-ta, por për një periudhë të gjatë kohore nuk është organizuar si i tillë. Ky festival u rikthye në vitin 2013, dhe tani organizohet çdo vit në muajin Maj.
Festivali “Diamond Fest”: Është themeluar në vitin 2014, dhe si i tillë organizohet çdo vit.
Festivali “Sidorela”: Është themeluar në vitin 2017, dhe si i tillë organizohet çdo vit. Viteve të fundit ky festival ka pasur pjesëmarrës edhe nga shtete të tjera, përveç Kosovës.
Festivali “A-Mol”: Është themeluar në vitin 2018, dhe si i tillë organizohet çdo vit. Viteve të fundit ky festival ka pas pjesëmarrës edhe nga shtete të tjera, përveç Kosovës.