Ferizaj është qytet i ri, por rrethina e tij ka qenë e banuar që nga mijëvjeçari VI p.e.s. Nga gjetjet arkeologjike në fshatin Varosh, 3 km në jug të Ferizajt, dëshmohet se këto anë kishte një qytetërim që në kohën e neolitit të hershëm. Andaj, nga shekulli VIII para Krishtit e deri në pushtimin romak, Ferizaj dhe rrethina e tij u banua nga popullata dardane. Tumat varrore dardane janë gjetur në rajonin e Ferizajt, në Gërlicë (Gurëz) gjithsej 18 varreza, të cilat i përkasin shekujve VIII-VII, dhe më pas nekropolet tumulare në Zaskok.
Ferizaj zë fill më 1873 me ndërtimin e hekurudhës Mitrovicë – Shkup. Në pjesën e dytë të shekullit XIX, udhëpërshkruesit flasin për Hanin e Feriz Bej Shasivarit, sipas të cilit e mori emrin ky vendbanim, që brenda pak dekadash u bë qytet, i populluar kryesisht nga tregtarë e zejtarë. Si emër i parë i vendbanimit të ri ishte i emërtuar në shënimet e kohës si Ferizoviq. Nga viti 1874, krahas këtij emri, që ishte emërtuar nga autoritetet e kohës ishte në përdorim edhe emri Tasjan që nga gjuha frënge kemi të bëjmë me stacion.