Komuna e Ferizajt ka një sipërfaqe prej 345 km², e cila shtrihet në pjesën jugore të Kosovës dhe në pjesën veri-lindore të maleve të Sharrit. Në lindje kufizohet me Komunën e Gjilanit dhe të Vitisë, në jug kufizohet me Komunën e Kaçanikut (16 km), në jugperëndim me Shtërpcën (32 km), në perëndim me Prizrenin (60 km) e Therandën (42 km) dhe në veri me Shtimen (13km) e Lipjanin (17km). Distanca e Ferizajt nga kryeqendra e Kosovës, Prishtina është 36 km, kurse nga Shkupi 48 km.
Qyteti i Ferizajt ka pozitë qendrore ndaj territorit të komunës, ku lartësia mbidetare e qytetit është rreth 580 metra mbi nivelin e detit. Ferizaj ka një pozitë shumë të mirë gjeografike, duke qenë se shtrihet në pjesën ku janë kryqëzuar rrugët e vjetra Prizren – Anamoravë dhe rruga Prishtinë – Shkup.
Pjesa më e madhe e sipërfaqeve të Komunës janë rrafshina me 44.53 %, nga ana jugperëndimore 10.98 %, dhe ana lindore 4.03 %, ndërsa pjesa veriore është kryesisht në terrene të larta rreth 5.78 %, ajo verilindore 7.96%, dhe veriperëndimore 6.71%. Qyteti ka lartësi mbi detare rreth 580 metra mbi nivelin e detit dhe ka një reliev të rrafshët. Relievi në qytet mundëson një planifikim dhe zhvillim shumë të mirë të infrastrukturës për transport. Lumi më i madh Neredime përshkon tërë territorin e komunës.
Ferizaj karakterizohet me klimë kontinentale, sikurse pjesa më e madhe e Rrafshit të Kosovës. Temperatura vjetore mesatare është 10°C. Muajt më të ngrohtë janë Korriku dhe Gushti, me temperaturë mesatare 18.9°C. Muaji më i ftohtë është Janari, me temperaturë mesatare -2.6°C.