Krahasuar me qytetet tjera, Ferizaj është njëra prej qendrave urbane më të reja të Kosovës. Si vendbanim, ai është formuar në periudhën osmane. Pas vitit 1873, u zhvillua në një qytet përgjatë vijës hekurudhore Mitrovicë – Shkup. Kjo vijë hekurudhore kishte rëndësi shumë të madhe për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave.
Zhvillimi i qytetit mori hov pas vitit 1900. Në këtë periudhë fillojnë të zhvillohen disa veprimtari, si ato zejtare dhe tregtare. Veprimtari dominuese në qytet ishte tregtia. Në vitin 1900, prej 400 shtëpive sa kishte gjithsej Ferizaj, 200 ishin dyqane tregtare dhe zejtare.
Gjatë periudhës në mes të dy luftërave botërore, qyteti i Ferizajt nis të zhvillohet. Nga ajo kohë, ende ka disa objekte të mbetura, si Shtëpia e Kulturës “Hivzi Sylejmani” (tani Teatri “Adriana”), e ndërtuar në vitin 1924 dhe Biblioteka (Tani Arkivi Historik) e ndërtuar në vitin 1928. Por zhvillimi ekonomik nuk ishte në nivelin e duhur, kjo bëri që nga kjo periudhë të kemi të vetmen ndërmarrje në Ferizaj e cila ishte Fabrika e Tjegullave. Kurse ndërmarrjet dhe fabrikat e tjera janë formuar pas Luftës së Dytë Botërore, ku vlen të përmenden Fabrika Tubave, Vegëltorja, Kombinati i Drurit, Fabrika e Ujtive, Fabrika e Vajit, Fabrika e Bukës, Fabrika e produkteve ushqimore “Minex” etj. Kjo ka bërë, që Ferizaj të zhvillohet duke u bërë njëra ndër qendrat më të mëdha industriale dhe tregtare të Kosovës, falë edhe pozitës së volitshme gjeografike që ka Ferizaj i ndodhur në mes të dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Shkupit si dhe të ndërtimit të vijës hekurudhore. Andaj kjo ka bërë që në ditët e sotme Ferizaj është qytet me një numër të madh bizneseve të cilat kanë ndikuar në ngritjen e mirëqenies dhe të ardhurave për ferizajasit.