Karakteristikat ekonomike

Komuna e Ferizajt gjithherë ka pasur pozitë të përshtatshme gjeografike dhe ushtarake-strategjike të komunikacionit rrugor që nga kohët e lashta, siç është, p.sh., vija rrugore nëpër Neredime dhe nëpër luginën e lumit të Jezercit, në relacionin e njohur Shkodër – Shkup – Selanik, e cila, përpos rëndësisë së madhe ekonomike-gjeografike, ka pasur edhe rëndësi strategjike. Ndërtimi i hekurudhës nga Shkupi deri në Mitrovice, në vitin 1873, e quajtur Hekurudha Vardar – Kosovë, ndikoi që qarkullimi tregtar i viseve të brendshme ballkanike të orientohet kah Selaniku. Kjo ndikoi që edhe Ferizaj të ngrihet si vendbanim dhe me vone si një qendër tregtare, zejtare etj. Kjo mundësoi edhe përqendrimin e popullsisë. Vlen te ceket se Ferizaj në vitin 1900  kishte 400 shtëpi dhe 200 lokale. Ky numri i madh i lokalëve flet për një dinamikë të madhe ekonomike me një ofertë tregtare jo vetëm për qytetin dhe fshatrat për rreth por ishte një treg ndër rajonal, qe fatmirësisht e ka edhe në ditët e sotit.

Bazuar në të dhënat e Agjencionit Statistikor të Kosovës, Ferizaj renditet si komuna e dytë me zhvillim ekonomike në Kosovë, pas Prishtinës. Ky zhvillim ekonomik është fal pozitës së mirë gjeografike. Zhvillimi i tillë ekonomik e bën Ferizajn një vend atraktiv për biznese e njëherit shumë dinamik  me një mobiliet të madh të njerëzve.

Sektori i dytë industria në vitet e më hershme në Ferizaj ishte shumë e zhvilluar, e cila tërhoqi edhe shumë migrues për të jetuar në qytet. Kjo industri në vazhdën e privatizimit e humbi primatin që kishte. Sot Industria është e organizuar në sektorin privat ku kemi një numër të madh ndërmarrjesh përpunuese, sidomos në sektorin e përpunimit të drurit.

Komuniteti i biznesit përbëhet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ekonomitë familjare kryesisht në lëmin e tregtisë, hotelerisë, zejtarisë, bujqësisë, ndërtimtarisë dhe të zejeve të tjera. Rreth 11% i përkasin bizneseve prodhuese; 45% biznese tregtare; dhe 44% biznese shërbyese.