Karakteristikat sociale

Gjate viteve të para të vendbanimit nuk ka pasur shkolla, por rolin e tyre e kanë luajtur mejtepet të cilat kanë qenë aktive dhe primare deri në pushtimin serb të Kosovës në fund të vitit 1912. Pas kësaj periudhe  deri në luftën e dytë botërore kanë qenë disa shkolla fillore ku mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Shpërndarja e këtyre shkollave ka qenë jo vetëm në Ferizaj por edhe në rrethinë.

Shkolla e parë në gjuhën shqipe në Ferizaj është hapur më 27.XI.1941 me iniciativën e z. Shaban Shaqir Vatës që konsiderohet si pishtari i arsimit në Ferizaj. Kontribut të madh në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe kanë dhënë mësuesit e ardhur nga Shqipëria në vitin 1941 dhe ndryshe quhet periudha e Ernest Koliqit, i cili solli mbi 240 mësues për t’i hapur shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Kosovë. Ndërsa, sot Komuna e Ferizajt numëron 37 shkolla fillore dhe 8 shkolla të mesme, si dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative.

Shëndetësia publike e Ferizajt organizohet në tri nivelet shëndetësore: Kujdesi Primar Shëndetësor (Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Qendra e Shëndetit Mendor në Komunitet), Kujdesi Sekondar Shëndetësor (Spitali Regjional) dhe Kujdesi Tretësor Shëndetësor (Instituti Regjional për Shëndet Publik). Këto qendra shëndetësore disponojnë me punonjës lëmenjsh të ndryshëm të sistemuar në katër Qendra Kryesore Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe 14 qendra shëndetësore në nivel fshatrash. Gjithashtu, ekzistojnë një numër i madh ordinancave dhe laboratorëve privat që ofrojnë shërbime mjekësore.

Objektet kulturore në Ferizaj vitet e fundit kanë aktivitete edhe ndërkombëtare që tërheqin vizitorë. Ndër objektet kryesore kulturore janë: Qendër kulture, Teatër, Galerinë e Arteve, Muzeun e Qytetit dhe dy Biblioteka ku te gjitha janë të shtrira për gjatë rrugës së qendrës  së qytetit. Gjithashtu organizohen festivale te ndryshme, si “Festivali i teatrove”, “Festivali i filmit”, “Mural festë” etj.

Objektet e kultit apo fesë tërheqin mjaftë vizitorë e sidomos Xhamia dhe Kisha Ortodokse në të njëjtin oborr (pavarësisht rrethanave historike të ndërtimit) janë mjaft unike.