Kisha paleokristiane në Nikadin
Gjatë viteve ’60-të të shekullit XX, në fshatin Nikadin janë evidentuar gjurmë sipërfaqësore të mbase ndonjë kompleksi të vilave romake ku u zbulua një artefakt shumë i rrallë dhe mbase unik për trevën e Kosovës. Kemi të bëjmë me një kapak sarkofagu (sarcophagus – arkivol apo arkë për vendosjen e kufomës), tërësisht nga guri gëlqeror i mermerizuar në trajtë të çatisë së shtëpisë, ku dominojnë dekoret me motive antropomorfe (figurë njeriu) në akse dhe motive floreale në front. Ky kapak sarkofagu i përket periudhës romake të fundit të shekullit III e.s. dhe fillimi i shekullit të IV e.s. Në vendin ku është gjetur kapaku i sarkofagut, janë zhvilluar disa sondazhe arkeologjike (2007) që rezultuan me gjurmë të një kishe me përmasa jo të mëdha, ndonëse mjaft e dëmtuar, e periudhës së krishterimit të hershëm (shekujt IV-VII e.s.), e plotësuar me disa spolje (material i ripërdorur) të plastikës dekorative sepulkrale të periudhës romake (shekujt III-IV e.s.).
Mozaiku në Nerodime e Poshtme
Në vitin 1988, në fshatin Neredime e Poshtme, e cila ndodhet në perëndim të qytetit të Ferizajt, disa sondazhe arkeologjike të zhvilluara këtu në arealin fare pranë varreve ortodokse, rezultuan me zbulimin e një kompleksi prej një vile të antikës së vonë, me atrium dhe mozaik polikromi, gjeometrik dhe figural i dyshemesë. Faza e parë i përket shekullit IV, kurse rindërtimi dhe mbindërtimi i takon shekullit V-VI. Mozaiku u zbulua në dyshemenë e një dhome drejtkëndore me absidë, mbase që ka shërbyer si triklinijum. Ky mozaik është grabitur nga pushtuesit serb dhe gjendet në Serbi.
“Mali i kishës” në Komogllavë
Bëhet fjalë për një kishë ilire-dardane e ngrehur në një lartësi mbidetare prej 600 metrash, e cila mendohet të ketë qenë një objekt ku janë kryer shërbesat fetare kishtare për disa fshatra. Dalja në sipërfaqe e kësaj kishe dhe bashkë me të dhe fragmente tjera, dokumentojnë ekzistencën e jetës në këtë vend. Në këtë lokalitet janë gjetur vazo, enë prej qeramike, monedha, stoli, gjësende hekuri dhe lëndë të tjera të karbonizuara, por edhe gurë karakteristik.
Kjo kishë besohet se duhet t’i takoj shekullit të IV-V e.s., por që është rindërtuar në periudhën e mesjetës në kohën e perandorisë bizantine. Është një lokalitet antik i urbanizuar me rrugë, kanalizim dhe infrastrukturë tjetër. Poçaria e gjetur këtu pak ngjason me ato që janë gjetur në vendbanime tjera. Këto enë të qeramikës dhe kryqi i kishës gjenden në muzeun e qytetit në Ferizaj.
Kroi i periudhës Iliro-romake
Kroi i periudhës Iliro-romake ndodhet në fshatin Komogllavë dhe është vendosur në periudhën para romake, duke qenë se romakët për sistemet e ujësjellësit përdornin më së shumti gypa prej plumbi. Në fakt, gjurmët e vendbanimit antik hasen në të gjitha anët e fshatit, sepse aty mund të gjenden shtresa hiri, blozë por edhe pjesë të enëve nga qeramika, të cilat, bazuar në formën dhe përbërjen e tyre, mendohet se i takojnë poçerisë vendase (dardane) të Antikës së vonshme. Pjesë nga tubat e kroit aktualisht ndodhen në muzeun e qytetit.
Kalaja e Jezercit
Ky lokalitet arkeologjik në literaturën e mëhershme njihej si Kalaja e “Pjetrit”, kurse nga banorët e fshatit dhe nga të dhënat të tjera del se ky toponim njihej gjerësisht si “Kalaja e madhe”. Kalaja ndodhet në anën e djathtë të rrjedhës së lumit Neredime, përkatësisht në afërsi të bashkimit të lumenjve. Po ashtu, kalaja ndodhet afër kishës paleokristiane (shek. IV-V). Kalaja e Jezercit është njëri nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore e historike në Ferizaj.