Ferizaj si qytet është i ri, por fshatrat përreth tij kanë qenë të banuar që nga kohët e lashta dhe për këtë ka dëshmi e gjetje të shumta. Hulumtimet e herë pas hershme janë bërë, si në Varosh, Komogllavë, Jezerc, Neredime e vende të tjera dhe nga arkeolog e etnograf është thënë se rrethina e Ferizajt ka një potencial të madh të objekteve me vlerë nga lashtësia.
Ekzistojnë disa lokacione që janë pjesë e trashëgimisë kulturore, ndër këto duhet veçuar Kishën Dardane në malet midis fshatrave Komogllavë, Sojevë e Fshat i Vjetër, ujësjellësi i kohës Ilire-Romake në fshatin Komogllavë, që furnizon me ujë të pijes edhe sot disa familje, tumat (varrezat) Ilire në fshatin Varosh, mulliri i Nikës, ende në funksion, që nga viti 1321, mbetjet e qytetit të vjetër në Jezerc, gërmadha të kohëve të ndryshme në Neredime etj.