
Muzeu është themeluar me 2 Qershor të vitit 2011. Gjendet në kuadër të objektit të Qendrës së Kulturës, i cili posedon një hapësire të mirë, ku mund të ruhen deri 1000 eksponate nga fusha të ndryshme. Muzeu është institucion, i cili ruan, promovon dhe prezanton vlerat e trashëgimisë kulturore të Ferizajt. Andaj, me pasurimin e vazhdueshëm që është bërë, kryesisht eksponate të dhuruara nga qytetarët, ka bërë që ky institucion të këtë mundësinë e krijimit të koleksioneve muzeale. Muzeu i qytetit në Ferizaj përbëhet nga sektorë të ndryshëm, siç janë: Sektori i Arkeologjisë, Sektori Etnologjisë dhe Sektori i Historisë.
Në muzeun e qytetit ndodhen gjithashtu eksponatë nga lokalitete të ndryshme arkeologjike, siç është ai i vendbanimit neolitik të Varoshit, ku kanë dalë gjurmë të fragmenteve të ndryshme të qeramikës neolitike, kryesisht zbuluar rastësisht gjatë punimeve bujqësore të tokave; material ky në pjesën më të madhe i lëvizshëm arkeologjik që dëshmon gjurmët e një vendbanimi të hapur tipik neolitik të të dy kulturave, si të Starçevës ashtu dhe të Vinçës. Në këtë lokalitet në vitin 2010 u bë zbulimi i Figurinës Antropomorfe e cila i takon mijëvjeçarit VI p.e.s. përkatësisht është përfaqësuese e epokës neolitit, dhe njëri ndër eksponatët më të vjetra zbuluara deri më tash në trevën e Ferizajt.