Muzeu është themeluar me 2 Qershor të vitit 2011. Gjendet në kuadër të objektit të Qendrës së Kulturës, i cili posedon një hapësirë të mirë, ku mund të ruhen deri 1000 eksponate nga fusha të ndryshme. Muzeu është institucion, i cili ruan, promovon dhe prezanton vlerat e trashëgimisë kulturore të Ferizajt. Andaj, me pasurimin e vazhdueshëm që është bërë, kryesisht eksponate të dhuruara nga qytetarët, ka bërë që ky institucion të ketë mundësinë e krijimit të koleksioneve muzeale. Muzeu i qytetit në Ferizaj përbëhet nga sektorë të ndryshëm, siç janë: Sektori i Arkeologjisë, Sektori Etnologjisë dhe Sektori i Historisë.
Në muzeun e qytetit ndodhen gjithashtu eksponatë nga lokalitete të ndryshme arkeologjike, siç është ai i vend banimit neolitik të Varoshit, ku kanë dalë gjurmë të fragmenteve të ndryshme të qeramikës neolitike, kryesisht zbuluar rastësisht gjatë punimeve bujqësore të tokave, material ky në pjesën më të madhe i lëvizshëm arkeologjik që dëshmon gjurmët e një vendbanimi të hapur tipik neolitik të të dy kulturave, si të Starçevës ashtu dhe të Vinçës. Në këtë lokalitet në vitin 2010 u bë zbulimi i Figurinës Antropomorfe e cila i takon mijëvjeçarit VI p.e.s. përkatësisht është përfaqësuese e epokës neolitit, dhe njëri ndër eksponatët më të vjetra zbuluara deri më tash në trevën e Ferizajt.