
Biblioteka Publike ,,Sadik Tafarshiku”
Objekti i bibliotekës është ndërtuar me 1908 duke hyrë në mesin e ndërtesave më të vjetra publike në qytetin e Ferizajt. Në të kaluarën kishte shërbyer si Komunë, më pas Ent Pedagogjik, kurse për një kohë bodrumi i saj kishte shërbyer edhe si burg, ku vuajtën dënime dhe maltretime të rënda shumë banorë të kësaj ane nga ana pushtetit ushtarako-policor serb. Pas luftës së fundit të Kosovës (1998-1999) ky objekt u shndërrua në Bibliotekë. Arkitektura e këtij objekti ka një strukturë të përbërë kryesisht nga ndikimi dhe gërshetimi i kulturave austriake dhe asaj të orientit.
Teatri i qytetit
Teatri i Qytetit në Ferizaj ka filluar të ndërtohet në vitin 1924 dhe ka përfunduar në vitin 1927. Në fillim kishte shërbyer si qendër gjimnastikore. Nga viti 1943, ky objekti fillon të përdoret për teatrin amator të Ferizajt. Themelues i Teatrit ka qenë Hasan Dyngjeri. Ky teatër ka pasur një numër të konsiderueshëm shfaqjesh të zhanreve të ndryshme të dramaturgjisë. Në vitin 2007 teatri u shndërrua nga një teatër amator në atë profesional, dhe mori emrin “Adriana Abdullahu”. Teatri “Adriana Abdullahu” ka një veprimtari e kontribut të pasur në artin dramatik kombëtar, duke qenë për mbi 50 vite, që nga viti 1970, organizatore e Festivalit më të madh mbarëkombëtar të teatrove.
Galeria e Arteve
Galeria e Arteve në Ferizaj është themeluar në vitin 2010 me vendim të Kuvendit Komunal të Ferizajt. Kjo Galeri ka për synim të prezantojë dhe të promovojë artet pamore, siç janë: piktura, skulptura, grafitet, dizajni, arkitektura, instalacionet dhe zhanre tjera të arteve pamore. Galeria e Arteve “Ismail Rama” ka një aktivitet të mbushur me ekspozita, rekuizita, punëtori, trajnime për artistë të rinj, etj. Për 12 vite ka realizuar rreth 70 ekspozita kolektive, kombëtare dhe ndërkombëtare me pjesëmarrje të artistëve nga shumë vende të botës, po ashtu edhe rreth 30 ekspozita individuale. Duke pasur një agjendë të ngjeshur me ngjarje jubilare, siç është ekspozita kolektive tradicionale për 17 Shkurt – ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe ndarja e çmimit “Gursel Sylejmani”, më pas Bienali i vizatimit, Ditët e Kulturës, Ditët e Diasporës, Bienali i Skulpturës, Festivali i Karikaturës, Ekspozita e Fotografisë, është bërë njëra prej Galerive më së shumti aktivitete në vend.
Arkivi i Ferizajt
Objekti i Arkivit është ndërtuar në vitin 1928, ku gjatë periudhave të ndryshme historike është përdorur për funksione të ndryshme, si p.sh. stacion i sigurimit shtetëror. Objekti ka qenë në posedim privat deri në vitin 1947, atëherë kur shteti e pronëson.
Arkivi Historik i qytetit të Ferizajt është themeluar më 19.04.1980 me vendim të Kuvendit Komunal, por puna si njësi kulturore ka filluar nga data 01.09.1980. Gjithsej kishte 199 regjistratura të komunës.
Tani Arkivi Historik përfshin qytetin e Ferizajt me rrethin dhe vepron në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Përmban 68 fonde të veprimtarive të ndryshme (urbanizëm, arsim, ekonomi, bujqësi, administratë, komunikacion, plane të infrastrukturës, etj.).
Funksionimi ditor i Arkivit bëhet si në vijim: (1) klasifikimi i materialit arkivor dhe mirëmbajtja e tyre; (2) shërbimi ndaj qytetarëve me dokumentacione për të cilat kanë nevojë; (3) raportimet; (4) pranimi i dokumenteve dhe punimeve shkencore të qytetarëve, të dorëzuara vullnetarisht.
Ndërtesa Stacioni i Trenit
Ndërtesa e Stacionit të Trenit u ndërtua në vitin 1873 pas përfundimit të punimeve në ndërtimin e vijës hekurudhore. Kjo është ndërtesa më e vjetër publike në qytet. Hekurudha ishte projektuar nga francezët të cilët kishin bërë edhe projekte të shumta në territoret e Perandorisë Osmane. Kjo hekurudhë pati rol shumë të rëndësishëm në formimin e qytetit të Ferizajt, i cili me kalimin e viteve u zgjerua duke u bërë vendbanim i madh. Hekurudha në popull njihej me emrin “udha e frëngut’’. Gjithashtu, kjo hekurudhë evokon kujtime të shumta përgjatë ekzistencës së saj, duke bërë që shpesh herë të ishte vend i shumë ngjarjeve historike, duke nisur me depërtimin e qindra mijëra hebrenjve drejt kampeve të përqendrimit nazist, përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, në kujtesën tonë kolektive mbetet ende i freskët kujtimi për dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës, si pasojë e dhunës dhe gjenocidit serb të ushtruar kundër popullit shqiptar përgjatë viteve të luftës në Kosovë (1998-99).
Stacioni i Trenit në fshatin Bablak
Në fshatin Bablak të komunës së Ferizajt gjendet një prej objekteve më karakteristike të trashëgimisë së infrastrukturës në Kosovë – Stacioni i trenit i Bablakut. Ky stacion, i ndërtuar në fillim të shekullit XX gjatë periudhës së zhvillimit të linjave hekurudhore në Ballkan, ka qenë për dekada të tëra një nyje e rëndësishme lidhëse për njerëzit dhe mallrat që qarkullonin nga jugu në veri të vendit. Arkitektura e tij, e thjeshtë por funksionale, pasqyron stilin e ndërtimit të asaj kohe, ku prakticiteti ishte në qendër, por ku gjithashtu nuk mungonin elementet autentike lokale. Historikisht, Stacioni i trenit në Bablak ka pasur një rol jetik për komunitetin. Në vitet ’60 dhe ’70, ky stacion regjistronte dhjetëra ndalesa në ditë, duke u shndërruar në pikën kryesore të lëvizjes për banorët e zonës dhe fshatrave përreth. Shumë tregtarë përdornin trenin për të transportuar prodhimet bujqësore drejt qyteteve të mëdha, ndërsa të rinjtë e fshatit e kujtojnë si vendin nga ku niseshin drejt shkollave të mesme e universiteteve. Për dekada të tëra, stacioni nuk ishte vetëm infrastrukturë – ai ishte portë drejt botës, që i jepte mundësi një fshati të vogël të lidhej me qendrat urbane. Nga aspekti kulturor, stacioni përfaqëson një simbol të kujtesës kolektive. Ai ishte vend takimi e ndarjeje, ku njerëzit përshëndeteshin me mall apo pritnin të afërmit që ktheheshin nga mërgimi. Dëshmitarët e asaj kohe rrëfejnë se oborri i stacionit mbushej me zhurmën e fëmijëve, tregtarëve dhe tingujt e trenave që hynin e dilnin, duke krijuar një atmosferë të gjallë e dinamike. Sot, megjithëse funksioni i tij praktik është zbehur, Stacioni i trenit në Bablak mbetet një pasuri historike me vlera të mëdha turistike. Ai mund të shndërrohet në një destinacion tërheqës për vizitorët që kërkojnë të njohin historinë e transportit hekurudhor në Kosovë. Restaurimi i ndërtesës, vendosja e një ekspozite me fotografi të vjetra dhe pajisje origjinale, si dhe organizimi i aktiviteteve kulturore, do ta bënin këtë stacion një pikë atraktive për turizmin lokal e rajonal. Në kohën kur turizmi industrial dhe ai kulturor po marrin vëmendje gjithnjë e më të madhe, Stacioni i trenit në Bablak përfaqëson një mundësi të artë për Ferizajn. Ai është jo vetëm dëshmi e një epoke të kaluar, por edhe një urë lidhëse mes historisë dhe së ardhmes, një vend që meriton të ruhet, të promovohet dhe të vizitohet nga brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Mulliri i Nikës
Mulliri i Nikës gjendet në perëndim të qytetit të Ferizajt, në afërsi me fenomenin natyror të Bifurkacionit të Lumit Neredime. Në Ferizaj, tradicionalisht kishte shumë mullinj të ujit, ku vetëm në lumin Neredime ishin gjithsej 52 të tillë. Ndër mullinjtë më të njohur, i ndodhur pak metra larg fenomenit të Bifurkacionit, është Mulliri i Nikës. Mendohet të jetë ndërtuar në kohën e sundimit osman, në shekullin XVII. Rrugëtimi i këtij mulliri nëpër kohë ishte karakterizuar me shumë sfida. Duke parë së kishte filluar që arkitektura e këtij mulliri të degradohej nga pesha e rëndë e shekujve, atëherë u pa si nevojë e domosdoshme të përmirësohet gjendja e tij, dhe në vitin 2003 u rindërtua, duke synuar në ruajtjen e formës dhe dukjes që kishte.
Mulliri i Madh
Është ndërtuar gjatë viteve të 70-ta të shekullit XVIII-të, dhe ishte mulliri më i njohur në trevën e Ferizajt dhe më gjerë. Ky mulli kishte në funksion gjashtë gurë të cilët lëviznin me ndihmën e turbinës e cila merrte fuqinë e nisjes nga lugu i mbushur me ujë për të mundësuar lëvizjen e gurëve dhe përgatitjen e miellit, që përfitohej nga bluarja e misrit. Ka pasur shumë njerëz nga trevat e ndryshme të Kosovës të cilët kanë pritur në shumë raste nga dy deri në tri ditë për bërë bluarjen e misrit. Për këtë arsye, në hapësirën e mullirit ekzistonte edhe konaku ose dhoma e pritjes së mysafirëve.
Mulliri në Neredime të Epërme
Mulliri në Neredime të Epërme i përket shekullit XX-të, i cili është funksional dhe mundëson bluarjen e misrit. Ndër vite, forma u mullirit ka pësuar ndryshime, është zvogëluar paksa dhe është përshtatur që të punoj vetëm më dy gurë të cilët ndihmojnë në bluarjen e misrit.
Mulliri i Selman Begës
I takon vargut të gjatë mullinjve të ujit që ishin në rrjedhën e Lumit të Madh dhe atij të Neredimes. Ky mulli gjendet në fshatin Jezerc i cili ishte mjaft i pasur me këtë trashëgimi kulturore që ndërlidhej me industrinë e blojës. Andaj, ky mulli i takon fillim shekullit XX-të, po ashtu ka pasur ndërhyrje për t’i zgjatur jetën në disa periudha. Kurse më 2012 është rindërtuar, ku brenda tij gjendet vetëm një guri që është përdorur për bluarje të misrit.
Mulliri i Babushit
Në zemër të fshatit Babush të Ferizajt gjendet një ndër objektet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare – Mulliri i Babushit. Ky mulli, i ndërtuar shekuj më parë dhe i funksionalizuar nga fuqia e ujit, ka qenë dikur burim jete për banorët e zonës. Jo vetëm që siguroi bukën e përditshme për familjet, por u bë edhe një vend takimi ku njerëzit ndanin histori, tradita e miqësi. Sot, ky monument i gjallë i kulturës rurale është gati të kthehet në një destinacion unik për turistët vendas dhe të huaj. Mulliri i Babushit është një dëshmi autentike e jetës tradicionale, ku natyra dhe puna e njeriut bashkoheshin në harmoni. Përmes tingullit të gurëve të mullirit dhe freskisë së ujit që e vë në lëvizje, çdo vizitor mund të përjetojë një pjesë të historisë së gjallë të Kosovës rurale. Ky mulli nuk është vetëm një ndërtesë, por një simbol i trashëgimisë, i vetëqëndrueshmërisë dhe i shpirtit punëtor të gjeneratave të shkuara. Për turistët, vizita në Mullirin e Babushit është më shumë se një udhëtim kulturor – është një eksperiencë unike që kombinon historinë me natyrën. Këtu, vizitorët mund të shohin nga afër procesin tradicional të bluarjes së drithit, të shijojnë qetësinë e mjedisit përreth dhe të ndihen sikur janë kthyer pas në kohë. Për brezat e rinj, ky mulli është një klasë e hapur historie, ku mësohet se si të parët tanë ndërtuan jetën e tyre duke u mbështetur në natyrë dhe në punën e ndershme. Restaurimi dhe promovimi i Mullirit të Babushit do ta shndërrojnë atë në një atraksion turistik të rëndësishëm për Ferizajn, duke pasuruar ofertën kulturore e historike të rajonit. Ky destinacion do të bëhet një stacion i domosdoshëm për ata që duan të përjetojnë bukurinë e thjeshtësisë, traditën dhe trashëgiminë e gjallë shqiptare. Vizitoni Mullirin e Babushit dhe lëreni historinë të rrjedhë para jush, ashtu siç ka rrjedhur uji që e ka vënë në lëvizje brez pas brezi.
Mulliri i Fshatit Pleshinë
Në fshatin Pleshinë të komunës së Ferizajt, ndodhet një ndër objektet më të vjetra të trashëgimisë kulturore rurale – Mulliri i Pleshinës. I ndërtuar në fillim të shekullit XX, ky mulli ka shërbyer për më shumë se 100 vjet si një nga qendrat kryesore të jetës ekonomike dhe shoqërore të banorëve të zonës. I pozicionuar pranë burimeve ujore të fshatit, mulliri shfrytëzonte fuqinë e ujit për të vënë në lëvizje gurët e tij masivë, të cilët ditë e natë bluanin drithin për qindra familje të rajonit. Historikisht, Mulliri i Pleshinës përbënte një pikë referimi jo vetëm për banorët e fshatit, por edhe për fshatrat përreth. Thuhet se gjatë viteve ’50 deri ’70, mbi 200 familje nga rreth 6 fshatra të afërta sillnin grurin dhe misrin për t’i bluar në këtë mulli. Përveç funksionit ekonomik, ai u bë edhe një qendër sociale, ku njerëzit prisnin radhën, bisedonin, shkëmbenin lajme e përvoja, duke e kthyer atë në një vendtakim tradicional të komunitetit. Nga aspekti kulturor, mulliri mishëron një mënyrë jetese të lidhur ngushtë me natyrën dhe traditën. Arkitektura e tij është e ndërtuar me gurë e dru lokal, duke reflektuar mjeshtërinë popullore të asaj kohe. Gurët e mëdhenj të mullirit, disa prej tyre me peshë mbi 500 kilogramë, përbëjnë sot elementë të rrallë historikë që e bëjnë objektin të veçantë për vizitorët. Shumë banorë të moshuar ende tregojnë me krenari historitë e fëmijërisë, kur ecnin kilometra të tëra për të sjellë thesin me grurë në këtë mulli. Sot, Mulliri i Pleshinës ka një vlerë të jashtëzakonshme si destinacion turistik. Ai ofron një mundësi unike për turistët vendas e të huaj që të shohin nga afër procesin tradicional të bluarjes së drithit dhe të përjetojnë atmosferën e një jete fshatare që tashmë është zhdukur nga përditshmëria. Nëse restaurohet dhe promovohet si duhet, mulliri mund të presë qindra vizitorë në vit, duke shërbyer si një pikë edukative për nxënësit dhe si një atraksion kulturor për dashamirët e trashëgimisë. Përveç historisë dhe kulturës, mulliri është edhe një mundësi zhvillimi ekonomik për fshatin. Krijimi i një itinerari turistik që përfshin Mullirin e Pleshinës, natyrën përreth dhe traditat lokale, do të ofronte një eksperiencë të plotë për vizitorët. Kjo do ta kthente Pleshinen në një pikë të rëndësishme të turizmit rural në Ferizaj, duke e bërë mullirin një simbol të gjallë të identitetit dhe krenarisë së komunitetit.
Mulliri në fshatin Mirash
Në fshatin Mirash të komunës së Ferizajt, Mulliri i Mirashit përfaqëson një nga pasuritë më të veçanta të trashëgimisë rurale dhe një shembull të mirë të harmonisë midis njeriut dhe natyrës. Ndryshe nga mullinjtë e tjerë të zonës, ky mulli karakterizohet nga një arkitekturë e thjeshtë, por e rafinuar, ku materiali kryesor është druri lokal i kombinuar me gurë të fortë, që i japin strukturës një bukuri autentike dhe qëndrueshmëri shekullore. Ai shërbente kryesisht për bluarjen e drithërave për nevojat e komunitetit, por gjithashtu ishte një vend i rëndësishëm social, ku banorët ndanin histori, këshilla dhe përvoja. Mulliri i Mirashit dallon nga të tjerët jo vetëm për dizajnin, por edhe për vendndodhjen e tij. I pozicionuar pranë një përroi të vogël që rridhte gjatë gjithë vitit, mulli shfrytëzonte fuqinë e ujit në mënyrë optimale, duke siguruar funksionimin e vazhdueshëm edhe në periudha të thatësirës. Gurët e tij masivë, disa prej të cilëve peshojnë mbi 400 kilogramë, ofronin një bluarje efikase dhe ritmike, duke krijuar një tingull karakteristik që për shumë banorë ishte pjesë e përditshmërisë. Nga aspekti turistik, Mulliri i Mirashit ofron një përvojë autentike për vizitorët. Ata mund të ndjekin procesin tradicional të bluarjes, të ndiejnë aromën e drithërave të sapo bluara dhe të përjetojnë atmosferën e një mulliri që ka qenë pjesë integrale e jetës së fshatit. Për brezat e rinj, ai është një hapësirë edukative ku mësohet lidhja mes punës së njeriut, natyrës dhe historisë. Restaurimi i mullirit dhe promovimi i tij si pikë turistike mund të tërheqë vizitorë vendas dhe të huaj, duke e kthyer Mirashin në një destinacion të veçantë të turizmit rural.
Murali i Kamarierit në Hotelin Lybeten
Ky mural në fillim ishte gravuar për të identifikuar hotelin e parë dhe më të madh në Ferizaj i cili ishte ndërtuar në periudhën ndërmjet viteve 1959-1960. Andaj, kjo ishte si një dhuratë që ishte bërë për Hotelin Lybeten e cila më pas u bë një mural identitar që simbolizonte qytetin përgjatë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Vlen të theksohet se ky mural e afirmoi Ferizajn si një simbol i tij, në shumë dokumente, fotografi dhe post karta të ndryshme në të cilat vendosej ky mural. Andaj, sot kjo ka një vlerë me rëndësi historike, duke pasur parasysh që ruan kulturën dhe trashëgiminë e qytetit të Ferizajt.
Mejtepi i fshatit Pleshinë
Ky objekt daton nga fillimi i shekullit XX-të, së pari kishte shërbyer si mejtep, ku mësimi zhvillohej kryesisht në gjuhën osmane dhe arabe, ku nga kjo shkollë dilnin klerik fetar. Pas Luftës së Parë Botërore me pushtimin e Kosovës nga SKS-ja, ky objekt pati një ridestinim, duke u shndërruar nga një mejtep në shkollë për edukimin e kolonistëve të ardhur serb pas vitit 1919. Kurse pas Luftës së Dytë Botërore, ky objekt kishte përfshirë edhe nxënës shqiptarë, renovimi i tij u bë në vitin 2012, duke u bërë pjesë e shkollës “Pesë Dëshmorët e Kombit” dhe për të shërbyer si bibliotekë e shkollës.
Ish-mejtepi i Neredimes
Shkolla e Neredimes i përket shekullit XIX-të. Në fillim kishte shërbyer si mejtep (shkollë fetare), për të shkolluar hoxhallarët dhe më pas është përshtatur dhe ka vepruar për vite të tëra si objekt shkollor për trevën e Neredimes.
Shtëpi tradicionale në Koshare
Shtëpia e Hasan Fazlisë në fshatin Koshare, ka një stil arkitekturor vernakular, karakteristik për arkitekturën dhe ndërtimet në pjesë të ndryshme Kosovës kryesisht në Rrafshin e Kosovës. Këtu kemi të bëjmë me një kombinim teknikash dhe materialesh të ndërtimit siç janë: drurit me qerpiçin që bëjnë të mundur ndërtimin dhe lidhjen e mureve me llaç. Këto praktika të ndërtimit ishin thuajse stile të ndërtimit që gjenin përdorim përgjatë tërë shekullit XIX-të, dhe për të vazhduar edhe në shek. XX-të. Andaj, kjo shtëpi tradicionale përket periudhës së gjysmës së dytë të shekullit XIX-të.
Shtëpia e Emrush Jasharit në Jezerc
Kemi të bëjmë me ekzistencën e një kompleksi banesor që përfaqëson arkitekturën tradicionale që ishte karakteristik për shumë shtëpi në Jezerc. Por kjo shtëpi edhe në ditët sotme, ka arritur të mbijetoj, duke përfaqësuar njërën ndër vlerat e traditës së kësaj ane, përmes punimit të shtëpive nga materiali i gurit. Kjo shtëpi është ndërtuar më 1830.
Ish-Gjimnazi “Ismajl Qemajli”
Ish gjimnazi “Ismajl Qemajli” është ndërtuar në vitin 1928. Në këtë shkollë kanë mësuar nxënës të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në komunën e Ferizajt, si ata shqiptarë, serb, romë, ashkalinjë, etj. Objekti është në gjendje të mirë, mirëpo aktualisht nuk është në shfrytëzim. Në oborrin e kësaj shkolle në vitin 1991 regjimi i asaj kohe ka ndërtuar një ndërtesë disa katëshe të cilën nuk arriti ta përfundoj.
Ish-Konvikti për student
Ish-Konvikti për studentë është ndërtuar në vitin 1930 dhe deri në përfundim të viteve 1991-92 ka shërbyer si shkollë fillore. Pas përfundimit të luftës, prapë kjo shkollë u shëndrrua në një objekt edukimi, për profesione adekuate profesionale në fushën e ndërtimtarisë. Nga viti 2012, kjo ndërtesë është në shfrytëzim të organizatave të ndryshme.
Shkolla e Vjetër e Fshatit Gaçkë
Në zemër të fshatit Gaçkë qëndron një monument i rrallë i arsimit dhe kulturës shqiptare – Shkolla e vjetër e Gaçkës. E ndërtuar dekada më parë, kjo shkollë përfaqëson jo vetëm një objekt fizik, por një histori të gjallë të sakrificës, përkushtimit dhe dashurisë për dijen. Ajo ishte një nga institucionet e para arsimore në këtë trevë, ku fëmijët e fshatit morën mësimet e para dhe ku u mbollën farat e dijes që më vonë u shndërruan në shtyllë të zhvillimit shoqëror. Shkolla e vjetër e Gaçkës nuk ishte thjesht një vend ku mësohej leximi dhe shkrimi, por një qendër e vërtetë kulturore e kombëtare. Aty u ruajt dhe u përcoll gjuha shqipe në kohë të vështira, kur arsimi ishte i kufizuar dhe shpesh i ndaluar. Nxënësit dhe mësuesit, shpesh me kushte të vështira materiale, mbartnin mbi supe përgjegjësinë e madhe për të mbajtur gjallë kulturën dhe identitetin kombëtar. Muret e saj ruajnë ende kujtimet e gjeneratave të tëra që kaluan bankat e drunjta, duke ëndërruar për një të ardhme më të mirë. Me kalimin e kohës, kjo shkollë u bë një simbol i përparimit dhe emancipimit shoqëror. Shumë prej nxënësve të saj u bënë mësues, intelektualë dhe profesionistë që kontribuuan në zhvillimin e komunitetit dhe të vendit. Ajo mbetet një dëshmi e gjallë e asaj kohe kur arsimi shihej si arma më e fortë për të ecur përpara. Sot, Shkolla e vjetër e Gaçkës ka një rëndësi të veçantë si pjesë e trashëgimisë kulturore. Ajo përfaqëson një muze të hapur të historisë arsimore, ku brezat e rinj mund të mësojnë se si të parët e tyre studionin me sakrifica, por me pasion e përkushtim të madh. Ruajtja dhe restaurimi i saj nuk është vetëm një detyrim ndaj së kaluarës, por një investim për të ardhmen. Një shkollë e tillë mund të shndërrohet në një destinacion turistik dhe edukativ, duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj të interesuar për historinë e arsimit shqiptar. Për turistët, vizita në Shkollën e vjetër të Gaçkës është një udhëtim emocionues në kohë. Është mundësia për të parë nga afër bankat e drunjta, librat e vjetër, tabelën e zezë dhe atmosferën autentike të një klase tradicionale. Është përvoja që të bën të reflektosh mbi rrugëtimin e arsimit shqiptar – nga kushtet modeste drejt shkollave moderne të sotme. Shkolla e vjetër e Gaçkës mbetet një simbol krenarie dhe kujtese kolektive, një vend ku historia, arsimi dhe kultura takohen për t’u bërë frymëzim për brezat që vijnë. Ajo është një thesar që meriton të ruhet, të vizitohet dhe të promovohet si pjesë e identitetit tonë kombëtar.


























































































